Avioni i Ishmit, piloti italian lë garanci pasurore 10 mijë euro

24/01/2017 00:00

Pas pesë muajve në dispozicion të drejtësisë, piloti italian Guido Guidi ka të drejtë të larohet nga Shqipëria, por me kushtin që sa herë ta thërrasin autoritetet hetimore ai të paraqitet para tyre.

Në mesdite, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e ndalimit garanci pasurore prej 10 mijë euro ndaj pilotit Guidi, derisa hetimet ndaj tij të përfundojnë.

Që do të thotë pilotit italian me vendim gjykate i është kthyer pasaporta megjithëse nëse e thërret prokuroria ai duhet ta paraqitet pranë këtij organi.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi një garanci pasurore prej 10 mijë eurosh si masë ndaluese ndaj pilotit italian Guido Guidi nën hetim prej pesë muajsh për dyshimet e trafikut të drogës të ngelur në tentative. Vendimi u dha pas kërkesës së Prokurorisë, e cila po kryen veprime hetimore për të zbardhur shkaqet e fluturimit nga Italia në Ishëm të avionit “Piper” mesin e shtatorit 2016.

Duke qenë se veprimet hetimore po zgjasin, Krimet e Rënda ju drejtuan gjykatës për caktimin e një mase ndaluese ndaj të dyshuarit për sa kohë statusi i tij  nuk është qartësuar ende.

Gjatë kësaj kohe, Guidi ka dhënë dëshmi kontradiktore. Fillimisht piloti u shpreh se kishte ndërmarrë fluturimin për shkak të kohës së bukur. Por më pas, tregoi se ishte kontaktuar nga disa shqiptarë për të këqyrur terrenin në Ishëm e për të vendosur nëse ishte  vendi i duhur prej nga ku do të trafikohej drogë.

Rrëfimi i tij i fundit i përjashton çdo të dyshuar për shkak se Guidi ka treguar se kishte ardhur në Shqipëri me vullnetin e tij për të parë nëse mund të gjente mundësi për të transportuar drogë. Për këtë shkak, Prokuroria vijon hetimet edhe për trafik droge, ndonëse provat janë të papërfillshme.

Top Channel