Bisedimet Serbi-Kosovë, ulen Thaçi e Nikoliç

24/01/2017 00:00

Sot rinis dialogu i mes Kosovës dhe Serbisë. Për herë të parë dy delegacionet do të drejtohen nga presidentët e dy shteteve që në këtë rast janë dy armiq të vjetër, Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliç.

Thaçi thotë se takimi përbën hapjen e kapitullit të fundit të bisedimeve me Serbinë që sipas tij do të përfundojë me njohjen e shtetit të Kosovës nga Beogradi.

“Përfundimisht ka ardhur koha që të hapet kapitulli i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, që nënkupton një normalizim në rrafshin politik, të sigurisë, atë ekonomik, por edhe të integrimeve rajonale dhe euroatlantike, gjithmonë mbi vlerat dhe bazat e perspektivës europiane të të dy shteteve”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, në lidhje me çështjet e brendshme, Thaçi ka deklaruar se “secili shtet është autonom, ka sovranitetin e vet dhe nuk do të negociohet asgjë ndër çështjet që mendohet se mund të diskutohen”. Sipas tij mund të diskutohen vetëm çështjet e normalizimit të raporteve ndërshtetërore, por jo çështjet e brendshme të Kosovës.

Duke folur për “Radio Evropa e Lirë”, Thaçi ka thënë se nuk mund ta parashikojë sesa do të zgjasë ky kapitull i bisedimeve, por thekson se preferon që të përmbyllet sa më shpejt.

Serbia, kohët e fundit ka provokuar rëndë Kosovën, qoftë me fletarrestet në fuqi, siç ishte rasti me Ramush Haradinajn, pastaj me murin në Mitrovicë dhe nisjen e trenit për në Veri. Gjëra këto që sipas Thaçit e bën të domosdoshme diskutimin mes të dyja vendeve për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

“Zgjidhja më e mirë e mundshme është që të ndodhte njohja e Kosovës nga Serbia. Kjo do të nënkuptonte përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm të dialogut, që nisi fillimisht për çështje teknike dhe tashmë ndodhet në kapitullin e fundit të normalizimit, që do të sillte përfundimisht edhe njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar Thaçi.

Top Channel