Haradinaj: Nuk ekstradohem! Me Serbinë flasim vetëm për njohjen

24/01/2017 00:00

Ramush Haradinaj është i bindur se nuk do të ketë ekstradim të tijin në Serbi. “Pas meje qëndron e vërteta, – tha kreu i AAK-së në një intervistë për DW, – ndaj dhe ekstradimi nuk mund të ndodhë”.

Ish-kreu i UÇK-së shprehet i befasuar nga sjellja e Francës, e cila nuk ka ndjekur sipas tij rrugën e duhur pasi duket qartë që aktakuza serbe është politike.

“Më çudit fakti që Parisi respekton një padi të tillë kur e di shumë mirë se unë e kam sqaruar çdo dyshim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”, arsyeton Haradinaj, ndërsa arrestimin e përshkruan si abuzim me ligjin.

“E gjitha kjo është thjesht një cirk ligjor”, ishte komenti i tij. E gjithë situata e krijuar e shtyn të mendojë se në Beograd është kthyer klima e Milosheviçit.

Daçiç, kujton politikani i kosovar, ka qenë ndihmës i ish-presidentit serb. Vuçiç dhe Nikoliç nga ana tjetër ishin vartës të themeluesit të Partisë Radikale serbe, Vojislav Sheshel.

“Unë e shoh që ata janë kthyer totalisht në logjikën e Milosheviçit, çka vihet re nga veprimet e tyre të papërgjegjshme”, thotë Haradinaj.

“Kjo dëshmohet edhe nga deklaratat e tyre, sepse politikani nuk duhet të flasë për ligjin. Imagjinoni kur për këto akuza të Serbisë flet më shumë politika sesa drejtësia. Është e gjitha një lojë e Beogradit”, vazhdon kryetari i AAK-së.

Sa për dialogun me Serbinë, ai ndan bindjen se bisedimet duhen përqëndruar tek një pikë e vetme që është njohja e shtetit të Kosoves.

“Kjo është tema që Kosova e ka të hapur me Serbinë, e ajo duhet hedhur në tryezë”, shprehet Haradinaj.

Top Channel