Rikonstruktohet kinemaja e Laprakës, qendër për aktivitetet kulturore

24/01/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e kinemasë së Laprakës, e cila do të shërbejë si një qendër për aktivitetet kulturore dhe artistike. Prej vitesh kjo godinë ishte jofunksionale.

Gjatë inspektimit të punimeve, kreu i bashkisë Erion Veliaj tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe që do t’i shërbejë afro 60 mijë banorëve të zonës.

“Jemi këtu për të inspektuar kinemanë e Laprakës, e cila ndryshe njihet edhe si kinemaja e Maks Velos, që arkitekti ynë i famshëm e ka projektuar disa dekada më parë, por që më pas është rrënuar. Sot kjo kinema po merr një pamje të re. Jemi pak muaj përpara se ky projekt të përfundojë dhe besoj se në verë, do të kemi një kinema publike, jo private, për funksione publike të komunitetit, jo vetëm për shfaqjen e filmave, por për të promovuar të rinj të talentuar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se me këtë investim merr më shumë formë ideja e një prej qendrave të Tiranës policentrike.

Top Channel