Australian Open, kalon Wawrinka, humbet Muguruza

24/01/2017 00:00

Stanislas Wawrinka kualifikohet për në gjysmëfinale të Australian Open. Tenisti zviceran eliminoi në çerekfinale francezin Jo Wilfried Tsonga teksa e mundi me rezultatin 3-0.

Seti i parë ishte i rivalizuar dhe Wawrinka e fitoi atë me “tie break” 7-6. Në dy setet e tjerë, Wawrinka ishte superior ndaj kundërshtarit të tij dhe i fitoi setet 6-4; 6-3. Në gjysmëfinale Wawrinka do të ketë një derbi zviceran pasi përballë tij do të jetë Roger Federer që mundi Mischa Zverev 3-0.

Në kampin e femrave, Venus Williams siguroi një vend mes 4 më të mirave të Australian Open. Tenistja amerikane mundi në çerekfinale Anastasia Pavlyucenkova me rezultatin 2-0. Venus e mbylli setin e parë 6-4, ndërkohë që në të dytin hasi pak më shumë vështirësi pasi e fitoi atë me “tie break” 7-6. Tenistja amerikane do të luajë në gjysmëfinale ndaj bashkëkombëses së saj Coco Vandeweghe.

Kjo e fundit eliminoi në çerekfinale Garbine Muguruza pasi e mposhti atë 2-0. Vandeweghe që më parë eliminoi numrin 1 të botës, Angelique Kerber, ishte dominuese ndaj tenistes spanjolle. Amerikania e fitoi setin e parë 6-4, ndërkohë që i dyti nuk pati histori. Muguruza nuk e përballi lojën e Vandeweghes, e cila e mbylli atë 6-0.

Top Channel