Mirupafshim FMN! Qeveria: Rishihemi pas zgjedhjeve

24/01/2017 00:00

Në mbyljje të marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e quajti atë një rast suksesi.

“Programi ka qenë i sukseshëm dhe jam e lumtur të theksoj se ai i ka arritur objektivat kyc duke e vendosur Shqipërinë në rrugën e financave publike të shëndosha dhe rimëkëmbjes ekonomike. ne vlerësojme se rritja ekonomike ishte 3.4 përqind vitin e kaluar dhe do të vazhdojë të forcohet në 4 përqind në afatmesëm”, thotë FMN.

Edhe autoritetet shqiptare kanë të njëjtin vlerësim, atë se programi me FMN ishte sukses.

“Programi ynë me FMN ka arritur të gjitha objektivat e tij për korrektimin e disbalancave makroekonomike duke mundësuar kthimin e trendit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

“BSH konstaton se marrëveshja me FMN i ka arritur objektivat madhorë të saj në kontekstin e korrektimit të zhbalancimeve strukturore dhe vendosjes së vendit në një plan më të qendrueshëm të rritjes afatgjatë”, vlerësoi Guvernatori i BSH, Gent Sejko. 

Por shefja e misionit parlajmëroi Qeverinë se ekonomia ka ende shumë risqe që duhen zgjidhur.

“Prioritetet kryesore duhet të jenë fuqizimi i financave publike, ulja e borxhit të lartë, reduktimi kredive të këqija që mbeten mbi 20 për qind si dhe avancimi i i reformave për të përmirësuar klimën e biznesit”, u shpreh shefja e misionit të FMN, Tuladhar. 

Por a mundet Shqipëria t’i zgjidhë e vetme këto sfida pa një marrëveshje të re me FMN-në?  Tuladhar ja la topin Qeverisë.   

“Nëse autoritetet na e kërkojnë një marrëveshje të re pas zgjedhjeve në jemi të gatshëm”, u shpreh ajo.
 
A do të kërkojë Shqipëria një marrëveshje të re me FMN?

“Nuk e lëmë fondin të iki. Por marrëveshja do të kërkohet pas zgjedhjeve nga Qeveria Rama 2”, deklaroi Ahmetaj. 

Top Channel