Itali, sekuestrohen 8 tonë kokainë, goditje Ndrangetës kalabreze

24/01/2017 00:00

Agjentët e Komandës së Katanzaros kanë ekzekutuar një operacion në të gjithë territorin e Italisë ndaj 54 personave, të akuzuar si të përfshirë në një trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave operacioni është kryer me urdhër të Drejtorisë Rajonale të Antimafias ndaj një klani të Ndrangetës kalabreze.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar 8 tonelata kokainë në Kolumbi me destinacion Italinë dhe sasi të ndryshme nga 60 deri në 100 kilogramë në Itali dhe vende të tjera të Europës.

“Operacioni konfirmon raportin e privilegjuar të Ndrangetës me trafikantët amerikano-jugorë, me marrëveshje dhe me role të caktuara. Gjithashtu tregon aftësitë e mafias kalabreze për të menaxhuar drogën në shumë rajone të vendit”, ka thënë kryeprokurori i Antimafias së Katanzaros, Nicola Gratteri.

Sipas zyrtarit të lartë, kokaina mbërrinte në Itali përmes porteve në Xhoia Tauro, në jug të “çizmes”, në Xhenova dhe Napoli.

Top Channel