Betohet kreu i ri i CIA-s

24/01/2017 00:00

Mike Pompeo bëri betimin si drejtori CIA-s pas një vonese të lidhur me frikën e disa ligjvënësve se njeriu që do të drejtojë Agjencinë Qendrore të Inteligjencës mund të zgjerojë nivelin e mbikëqyrjes ose të lejojë disa teknika polemizuese të marrjes në pyetje të konsideruara gjerësisht si tortura.

Pompeo-n e mbështetën 66 senatorë. Votat kundër ishin 32, mes tyre edhe ajo e republikanit Rand Paul, mbështetës i kontrolleve sa më të kufizuara të vëzhgimit. Këto lëvizje i vunë kapakun një dite mjaft të ngjeshur për administratën e Trump-it.

Momenti më i rëndësishëm i saj ishte tërheqja nga partneriteti i Trans-Paqësorit, një tjetër premtim i fushatës që miliarderi njujorkez vë në jetë pas marrjes së postit të presidentit në 20 janar. Trump firmosi urdhrin ekzekutiv për tërheqjen nga pakti tregtar i firmosur prej 12 vendeve dhe një prej shtyllave të politikës së Barack Obama-s në Azi.

Ajo që sapo bëmë, do të deklaronte shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë, është lajm i jashtëzakonshëm për punëtorët amerikanë. Në fillimin e javës së tij të parë të plotë në zyrën ovale, Trump ndaloi gjithashtu financimin e grupeve ndërkombëtare që promovojnë abortin, ngriu punësimin e disa punonjësve federalë e u takua me krerë korporatash e paralajmëroi vendosjen e taksave doganore mbi firmat që spostojnë aktivitetin jashtë kufijve, si dhe fajësoi votat e paligjshme për humbjen e tij të thellë të votës popullore përballë Hillary Clinton-it, por pa ofruar ndonjë provë për pretendimet e tij.

Top Channel