Presion Merkelit: Takohu me Donald Trump

24/01/2017 00:00

Politikanë gjermanë, si në radhët e koalicionit qeveritar, ashtu dhe në ato të opozitës kërkojnë nga kancelarja gjermane të zhvillojë sa më shpejt një takim me presidentin amerikan, Donald Trump.

Nuk është përcaktuar ende ndonjë datë zyrtare për një zhvillim të tillë, por agjencia e lajmeve DPA thotë se ekzekutivi gjerman ka marrë kontaktet me shefin e ri të Shtëpisë së Bardhë dhe stafin e tij.

Trumpi e ka këtë javë në axhendë një takim në Uashington me kryeministren britanike Theresa May, e cila e ka bërë të qartë se do të përpiqet për një lidhje speciale me Shtetet e Bashkuara.

Një pjesë e socialdemokratëve mendojnë se përballja e Merkelit me Trump-in është e nevojshme dhe se kancelarja duhet të përcjellë përballë presidentit amerikan vetësiguri e t’ia bëjë të qartë se nuk do ta lejojmë që të përçajë BE-në. Sipas kreut të partisë liberale, Christian Lindner nga ana tjetër, Donald Trumpi duhet të përballet me një lider të fortë në Europë, që nuk kalon menjëherë në defensive.

“Lejon të kalojë menjëherë në defensivë. Merkel është i vetmi personalitet lider europian”, të cilin me sa duket njeh Trump. Kjo duhet shfrytëzuar”. Me fjalimin e tij radikal të premten me betimin si president, Donald Trump i shkatërroi shpresat në anën tjetër të Atlantikut, se si president ai do të ndjekë një kurs tjetër nga ai i fushatës zgjedhore presidenciale, që u zhvillua shumë e ashpër në SHBA.

Presidenti amerikan bëri të qartë, se në qendër të veprimit të tij politik do të jenë interesat amerikane. Por më shumë shqetësim shkaktoi paraqitja e parë publike e zëdhënësit të tij të shtypit, i cili u shpreh se “do të japin llogari” mediat për raportimin lidhur me numrin e vizitorëve në betimin e presidentit amerikan.

Kreu i fraksionit konservator në Bundestag, Volker Kauder e cilësoi këtë si “një deklaratë të papërfytyrueshme”. “Liria e mediave është një e mirë kulturore e civilizimit perëndimor, e cila duhet nderuar gjithmonë edhe kur mund të zemërohesh për ndonjë raportim të caktuar”.

Ndërsa kryetarja e partisë së Gjelbër, Simone Peter e cilësoi fjalimin e Trump si fjalim “me polemikë e paragjykime”.

Top Channel