Ambasada në Jeruzalem, SHBA e shqyrton me kujdes

24/01/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tregohen të kujdesshme për sa i takon premtimit të presidentit Donald Trump për të zhvendosur ambasadën e tyre në Jeruzalem.

Zyrtarë të lartë në qeverinë amerikanë thanë se spostimi i Ambasadës amerikanë në Jeruzalem mbetet një prioritet për Trump, por paralajmëruan se kjo nuk do të ndodhë shpejt. Nëse lëvizja kryhet, implikimet janë vërtetë të mëdha, pasi do të thotë se Amerika njeh efektivisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe kjo hedh poshtë 70 vjet konsensusi ndërkombëtar, gjë që shumë njerëz mendojnë se do t’i japë fund përpjekjeve për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Megjithatë, duhet thënë se ligjërisht SHBA duhej ta kaishte dërguar prej kohësh ambasadën në Jeruzalem, por njëri pas tjetrit presidentët e saj janë treguar mjaft diplomatikë për të shmangur acarimin e mëtejshëm të situatës.

Në vitin 1995, Kongresi amerikan miratoi një ligj që e detyron Amerikën të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem me justifikimin se SHBA duhet të respektojë zgjedhjen e Izraelit se cili është kryeqyteti i tij.

Që prej 1995-s, çdo president amerikanë, më saktë, Clinton, Bush dhe Obama, kanë refuzuar ta bëjnë këtë dhe çdo gjashtë muaj kanë përdorur të drejtën presidenciale për të shmangur lëvizjen. Në maj, mbarojnë 6 muajt e radhës dhe i takon Trump të shprehet.

Që prej 1989, Izraeli i ka dhënë një tokë me qira në Jeruzalem SHBA për të ndërtuar ambasadën e re. Qiraja është 1 dollar në vit për 99 vjet dhe aktualisht kjo sipërfaqe është bosh dhe e pashfrytëzuar.

Ndërsa qeveria izraelite ka përgëzuar qëllimin e Trump, palestinezët janë shprehur kundër spostimit të Ambasadës amerikanë në Jeruzalem duke e cilësuar si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe fund i shpresave për paqen.

Top Channel