Peza rrëfen dhunimin e 1997-s si reporter

23/01/2017 00:00

Duke folur në Top Story, deputeti socialist, Alfred Peza rrëfeu një episod të pakendëshëm të ndodhur në vitin 1997, në kohën kur ishte reporter i gazetës “Koha Jonë”.

“1997, kur u vendos gjendja e jashtëzakonshme më 2 mars dhe më 3 mars u dogj gazeta Koha Jonë, unë isha reporter i saj. Shkuam në redaksi bashkë dhe pamë sesi na ishin djegur të gjitha, një dhimbje e jashtëzakonshme. U dogj redaksia dhe mes shumë gazetarëve të huaj, vjen edhe një gazetar italian i Corriere della Serra dhe pyeti kush është reporter i kronikës në vlorë. Unë isha në vlorë në atë kohë dhe më kërkoi që ta shoqëroja atje”, kujton ai.

Ai u shpreh se gjatë rrugës, në zonën e njohur si “Qafa e Koshovicës” në Fier, u ndalua nga njerëz të armatosur dhe më pas është marrë dhe torturuar.

“Më kanë rrahur me shkopinj gome, aq sa më binte të fikët. Torturuesit më veshën prap dhe më futi njëri pasaportën në xhep dhe më tha që kur të më gjejnë më vonë në ara të më njohin se kush jam. Gazetari i Corriere ka ardhur urgjent në Tiranë dhe ka mbajtur një konferencë urgjente ku ka qenë edhe Ben Blushi, që punonte gazetar në atë kohë. Blushi ka folur me Genc Pollon dhe i ka thënë se na keni vrarë gazetarin. Jo tha Genc Pollo dhe aty ka ndërhyrë tek Berisha dhe më pas më kanë mbajtur në Fier bashkë me njerëz të tjerë të arrestuar”, u shpreh ai.  

Top Channel