Orteku në Itali, tre kone shpëtohen nga gërmadhat

23/01/2017 00:00

Departamenti i zjarrfikësve në Itali, ka publikuar videon e tre koneve të shpëtuara të hënën në hotelin “Rigopiano”, që u rrafshua nga një ortek të mërkurën e 18 janarit.

23 persona mbeten ende të zhdukur dhe skuadrat e shpëtimit po punojnë pa pushim në vendngjarje. Nëntë vetë janë shpëtuar nga rrënojat ndërsa dy të tjerë mbijetuan pasi kishin dalë nga hoteli në momentin e rënies së ortekut.

Shtatë vetë ndërkohë janë konfirmuar të vdekur, me trupin e pajetë të një gruaje që u nxor vetëm pasditen e të hënës. Tre konet, u gjetën në dhomën e kaldajave. Konet u dërguan tek një veteriner edhe pse në shikim të parë ata dukeshin në gjendje të mirë. Prindërit e koneve, Lupo dhe Nuvola, kishin mundur t’i shpëtonin ortekut dhe u gjetën në luginë.

Autoritetet janë akuzuar se kanë vepruar ngadalë pas një serie tërmetesh që goditën Italinë Qendrore. Media italiane ka publikuar një email të dërguar nga menaxheri i hotelit më 18 janar për autoritetet lokale ku kërkohej ndihmë për pastrimin e rrugës në mënyrë që klientët të mund të largoheshin nga rajoni.

Duket edhe se stafi i qendrave operacionale ky është njoftuar fillimisht për katastrofën nuk e ka marrë seriozisht telefonatën. Mediat italiane shkruajnë se shërbimet e emergjencës kanë kontaktuar me pronarin e hotelit për të parë nëse mund të konfirmonte ortekun.

Ai duket se ka thënë se nuk dinte asgjë, por operatorët nuk e dinin që pronari nuk ndodhej fare atje. Si rezultat, operacioni i shpëtimit ka nisur 2 ose 2 orë e gjysmë me vonesë me skuadrën e parë të shpëtimit që arriti me ski në vendngjarje 11 orë pas katastrofës për shkak se rrugët ishin të pakalueshme.

Një gjykatë ne Pescara ka nisur ndërkohë një hetim për tragjedinë. Orteku me një peshë prej rreth 120 tonësh, u godit me hotelin luksoz me një shpejtësi prej rreth 100 km në orë.

Top Channel