Trump-biznesmenëve: Prodhoni në Amerikë! SHBA, jashtë TPP-së

23/01/2017 00:00

Prodhoni në Amerikë dhe punësoni amerikanë! Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u ka përsëritur mesazhin e dhënë gjatë fushatës liderëve të biznesit, në takimin e parë të zhvilluar me ta në Shtëpinë e Bardhë.

Në këmbim, Trump ka premtuar se do të shkurtojë me 75 për qind kuadrin rregullator dhe se do të reduktojë taksat për të zhvilluar ekonominë.

Gjatë takimit, Trump ka premtuar edhe një reduktim taksash për klasën e mesme dhe kompanitë e nivelit të mesëm nga 35 për qind që janë aktualisht në 15 deri në 25 për qind.

“E vetmja gjë që ju duhet të bëni është të qëndroni këtu dhe të mos largoheni. Mos pushoni nga puna njerëzit tuaj në Amerikë”, ka vijuar presidenti.

Ndërkohë, presidenti ka firmosur urdhërin ekzekutiv që sanksionon tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Partneriteti i Ndër-Paqësorit, “TPP”.

Marrëveshjen për shkëmbimin e lirë tregtar mes 11 vendeve e kishte dashur aq shumë Barack Obama, të cilit i kishte kushtuar dy vjet përpjekje diplomatike për ta arritur.

Bëhet fjalë për një akt formal të Trump, pasi marrëveshja me vendet e Paqësorit nuk është ratifikuar ende nga Senati, por mjaft domethënës

Ndërkohë, zëdhënësja Hope Hicks ka deklaruar për CNN se presidenti ka dhënë tashmë dorëheqjen nga kompanitë e tij. Njoftimi, që përkon me premtimet e bëra nga Trump para se të merrte zyrtarisht detyrën, vjen të njëjtën ditë kur një aksion ligjor është ndërmarrë ndaj tij.

Në aksionin në fjalë u kërkohet hoteleve dhe kompanive të Trump që të mos pranojnë më pagesa nga qeveri të huaja.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel