Miratohen milionat, stadiumi i ri në Prishtinë

23/01/2017 00:00

Ndeshjet në arenën ndërkombëtare, por edhe përfshirja e klubeve në kupat europiane e kanë kthyer në një domosdoshmëri ndërtimin e infrastrukturës sportive të denjë në Kosovë.

Këshilli Kombëtar i Investimeve miratoi projektin për “Ndërtimi e Stadiumit Nacional të Futbollit në Prishtinë”. Dikasteri përkatës ka përcaktuar edhe Bërnicën e Poshtme, që ndodhet 4.5 km nga qendra e Prishtinës si vendndodhje në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh.

Ky hap është tejet i rëndësishëm për Kosovën, që i hap rrugë nismave ligjore për konkretizimin e financimit të projektit. Pas anëtarësimit të FFK në UEFA dhe në FIFA, Kosova duhet të plotësojë standardet që kanë përcaktuar këto dy organizata, më të rëndësishmet e botës së futbollit, përfshirë infrastrukturën.

Financimi i projektit të “Stadiumit Nacional të Futbollit, për shkak të natyrës së projektit, duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe të negociohet përmes një marrëveshjeje financiare. Kostoja totale e projektit pritet të përcaktohet, por bazuar në modele të ngjashme te stadiumeve, parashihet të jetë 40-50 milionë euro.

Top Channel