Elbasan, plagoset me armë zjarri 68-vjeçarja

23/01/2017 00:00

Një grua 68-vjeçare ka mbetur e plagosur me armë zjarri këtë të hënë në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji”, ku gruaja me inicialet D.D banonte.

Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, plumbat kanë ardhur nga një makinë e cila më pas është larguar me shpejtësi.

68-vjeçarja ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që policia ende nuk ka asnjë pistë të qartë se cili ka qenë objektivi i sulmit dhe autorët.

Policia ka marrë njoftim nga spitali për një grua e cila është paraqitur e plagosur me armë zjarri dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake, asgjë nuk të bën të dyshosh se objektivi ka qenë 68-vjeçarja. Policia dyshon që gruaja të jetë plagosur rastësisht.

Top Channel