Rutte: Nëse s’ju pëlqen Holanda, largohuni!

23/01/2017 00:00

Në javën e dytë të marsit, holandezët do të shkojnë në zgjedhje, ku sondazhet tregojnë një rritje të frikshme të ekstremistëve të udhëhequr nga Geert Wilders.

Partia e Lirisë rivalizon me liberalët e VVD-së së kryeministrit Mark Rutte, të paktën në anketat e deritanishme.

Sipas analistëve vendas, kjo rritje e frikshme e Geert Wilders reflekton pakënaqësinë e shumë holandezëve sidomos me politikat ndaj emigracionit dhe azilantëve.

E pikërisht për të forcuar disi pozitat në prag të zgjedhjeve, kryeministri Rutte u deklarua i ashpër ndaj grupeve të emigrantëve që nuk integrohen me rregullat dhe kulturën holandeze.

“Silluni normalisht, respektoni vlerat tona. Nëse nuk ju pëlqejnë është e thjeshtë, mund të largoheni”, deklaroi Rutte.

Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar Wilder.

“Njeriu i kufijve të hapur, i tsunamit të azilantëve, i emigracionit masiv dhe i islamizimit, gënjen dhe mashtron sërish”, komentoi ai në Twitter.

Sondazhet deri më tani nuk përcaktojnë një fitues të qartë. Rezultatet e tyre vërtiten me diferenca të vogla mes partisë së Ruttes dhe Wilders dhe në këtë situatë, skenari më i mundshëm është që asnjëra prej këtyre dy partive të mos e krijojë dot vetëm mazhorancën.

Top Channel