Trump “përvesh mëngët”, nis zhbërjen e axhendës “Obama”

23/01/2017 00:00

Tërheqja nga negociatat për Marrëveshjen e Partneritetit të Transpaqësorit, një prej më të mëdhajave në historinë e Shteteve të Bashkuara, është një prej veprimeve të shumta që ka planifikuar Donald Trumpi për këtë të hënë.

Media amerikane CNN, që citon burime të afërta me çështjen, raporton se presidenti i ri do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për t’u tërhequr nga procesi i negociatave për marrëveshjen tregtare, që trashëgoi nga paraardhësi i tij Barack Obama.

Urdhri do t’u përcjellë demokratëve dhe udhëheqësve të tjerë rreth botës mesazhin se, retorika e Trumpit për tregtinë gjatë fushatës po kthehet në vepra reale.

Republikani u zotua gjatë fushatës zgjedhore se do të tërhiqej nga marrëveshja që njihet me shkurtimin “TTP”, pasi sipas tij është e dëmshme me punonjësit e prodhuesit amerikanë. Përveç firmosjes  së urdhrave që do të përmbysin axhendën e paraardhësit të tij, javën e parë të plotë në krye të Shtëpisë së Bardhë, numri një i Uashingtonit e nis gjithashtu me një sërë takimesh, ndër të cilat me krerë korporatash e sindikatash, me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, e gjithashtu me përfaqësues të shërbimeve sekrete.

Gjatë takimit me biznesmenët, ai u zotua të reduktojë masivisht taksat mbi kompanitë që do t’i ruajnë vendet e punës në SHBA, dhe i paralajmëroi ata se do të përballeshin me taksa të larta kufitare nëse do të zhvendosnin jashtë kufijve prodhimin.

Komentet pasojnë përplasjen me mediet dhe protestat kundër tij në fundjavë. Miliarderi shkruajti në “Twitter” se i priste një javë e ngjeshur, ku fokusi kryesor do të ishte punësimi dhe siguria kombëtare, ndërsa më herët në një intervistë për “Fox News” kishte thënë se e hëna ishte vërtet dita, kur do të fillonin punën e do të hidhnin themelet e marrëveshjeve të mëdha për vendin.

Top Channel