Votohet statusi i naftëtarit, nismëtari i projektit kërkon variantin e qeverisë

23/01/2017 00:00

Në Parlament kanë mbërritur dy projektligje për statusin e naftëtarit. Ai i iniciuar nga deputeti i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Omer Mamo dhe një version i qeverisë.

“Nisma ime ligjore është e njëjtë me atë të qeverisë. Duke qenë se për mua si deputet i qarkut të Fierit është më e rëndësishme miratimi i kësaj nisme sesa autorësia, unë jap dakordësinë time që t’i hapet rrugë ligjit qeveritar”, deklaroi Mamo.

Por diskutimi i projektligjit nuk kaloi pa debate. Demokratët akuzuan qeverinë se po i merr të drejtën e autorit nismëtarit të saj për arsye politike.

“Duke ndjerë dobishmërinë e këtij ligji para zgjedhjeve, qeveria ka dashur të marrë vetë meritën për sjelljen e projektit”, tha Genc Ruli.

Vetë punonjësit e industrisë së naftës kanë kërkuar votimin e projektligjit pa dallim politik. “Në Shqipëri ka dhe statuse të tjera që nuk kontribuojnë në arkën e shtetit. Është hera e parë që nafta ka kontribuar dhe do të kontribuojë edhe në të ardhmen”, tha gjeologu Vlash Nakuci.

Përfitues të projektligjit janë rreth 5 mijë punonjës dhe ish-punonjës të sektorit të naftës. Në propozimet kryesore janë rritja me 50 për qind e pagës minimale, e llogaritur ndryshe në 33 mijë lekë.

Nëse kompanitë e naftës ristrukturohen, ose për rastet e largimeve nga puna për arsye që nuk varen nga naftëtari propozohet që kompania t’u paguajë përfituesve një shpërblim sa 80 për qind e pagës minimale neto.

Drafti ul edhe moshën e daljes në pension me 5 vite, 60 vjeç për burrat dhe 55 gratë. Përfitime do kenë edhe në trajtimin mjekësor. E gjithë kjo faturë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 400 milionë lekë në vit.

Top Channel