Chelsea i del në mbrojtje Barronit

23/01/2017 00:00

Prej dy muajsh është në vëmendjen e të gjithëve, e këtë djali i vogël i Donald Trumpit, Barron, nuk po e përballon edhe aq mirë.

Mediet vëzhgojnë me kujdes edhe gjestin më të vogël të 10-vjeçarit, deri më tani të mbajtur larg prozhektorëve. Syrit të tyre nuk i ka shpëtuar padurimi që ai shfaq ndonjëherë, nervozizmi apo bezdisja.

Nuk kanë qenë të pakta zërat, që për këtë arsye, edhe e kanë vënë fëmijën në shënjestër. Por Barroni ka marrë një mbështetje të papritur.

Djalit i ka dalë në krah vajza e ish-rivales së madhe të presidentit të ri gjatë garës për Shtëpinë e Bardhë. “Lereni të mbetet fëmijë”, është shprehur Chelsea Clinton, duke u bërë kështu pjesë e një debati të pamëshirshëm për një fëmijë të asaj moshe.

Në situatën e Barronit, ajo është gjendur në vitin 1993, kur ishte 13 vjeç. Shumë e sulmuan atëherë për kaçurrelat e pabindur, rrethin e preferuar të flokëve, apo aparatin e dhëmbëve. Tani Chelsea i del në krah një fëmije, tek i cili mesa duket sheh pak veten.

“Jeto fëmijërinë tënde”, është këshilla e saj për 10-vjeçarin. Por fakti që ndien dhembshuri për ankthin e Barronit, nuk e ndalon vajzën e vetme të çiftit Clinton të sulmojë babain e tij të porsavendosur në Zyrën Ovale.

“T’i dalësh në mbrojtje çdo fëmije, – shkruan 36-vjeçarja në “Facebook”, – do të thotë gjithashtu t’i kundërvihesh politikave të presidentit amerikan, të cilat i dëmtojnë të miturit”.

Top Channel