Kosovë-Serbi, BE: Ngjarjet e fundit, më shumë përkushtim në dialog

23/01/2017 00:00

Zyrtarë të Bashkimit Europian kanë theksuar se, progresi në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë ka një rëndësi të madhe.

Komentet vijnë një ditë përpara se, në Bruksel të zhvillohet edhe një raund dialogu ndërmjet dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Në konferencën e sotme për gazetarët në Bruksel, Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, tha se në takimin e së martës mes Kosovës e Serbisë do të marrin pjesë kryeministrat dhe presidentët e të dy vendeve.

“Siç kemi deklaruar edhe javën e kaluar, zhvillimet e kohëve të fundit e theksojnë nevojën e përkushtimit dhe angazhimit të shtuar nga të dyja palët nëpërmjet dialogut”, tha Koçijançiç.

Më tej ajo është shprehur se “është krejtësisht e qartë se progresi në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë madhore”, teksa ka shtuar se “kjo vlen për të dyja palët, por edhe për Bashkimin Europian në tërësi”.

Zëdhënësja Koçijançiç tha se “të dyja palët kanë shprehur përkushtim për dialog dhe presim që ky përkushtim të vazhdojë, përfshirë implementimin e marrëveshjeve që janë arritur”.

Top Channel