Gjermani, arrestohet 21-vjeçari. Pranoi lidhjen me austriako-shqiptarin

23/01/2017 00:00

Pas arrestimit të 17-vjeçarit austriak me origjinë shqiptare në Vjenë të Austrisë, vetëm pak ditë më parë, një tjetër 21-vjeçar është arrestuar në Gjermani me dyshimin e njëjtë, atë të planifikimit të një sulmi terrorist. Ky i fundit, kombësia e të cilit nuk bëhet e ditur, sipas prokurorëve gjermanë ka pranuar lidhjet me të dyshuarin në Austri, i cili thuhet të ketë lidhje me xhihadistë të tjerë në vendin tonë.

Forcat gjermane të sigurisë kanë arrestuar një mashkull dhe një femër gjatë një bastisjeje në një pallat në qytetin perëndimor të Neuss, ditën e shtunë, por femra, e cila është identifikuar nga mediet lokale si bashkëshortja e 21-vjeçarit, është lënë e lirë më pas.

Autoritetet gjermane ndodhen në një gjendje të lartë gatishmërie që prej ngjarjes së tunizianit, të cilit i ishte refuzuar azili, që përplasi kamionin me turmën e pranishme në një treg Krishtlindjeje në Berlin më 19 dhjetor, duke lënë të vdekur 12 persona.

Një zëdhënës i zyrës së prokurorit të Dyseldorfit tha se, 21-vjeçari i arrestuar kishte pranuar gjatë marrjes në pyetje se 17-vjeçari i ndalaur në Vjenë e kishte vizituar atë për dy javë në fund të vitit të kaluar, edhe pse qëllimi i vizitës nuk bëhet ende i ditur. Zyrtarët austriakë, fillimisht e raportuan të dyshuarin e ndaluar në Vjenë si një 18-vjeçar.

Edhe pse kërkimet në shtëpinë e të dyshuarit në Neuss nuk sollën ndonjë provë për një sulm të pashmangshëm në të ardhmen, duke qenë se nuk u gjetën as armë apo eksplozivë, revista gjermane “Focus” thotë se ai po planifikonte një sulm me bombë ndaj policisë apo ushtarëve. Po sipas kësaj reviste, të dy të dyshuarit e arrestuar tashmë kanë eksperimentuar me materiale të ndryshme krijimin e një mjeti shpërthyes në apartamentin në Neuss.

Arrestimi në Neuss ka ardhur pas informacioneve të shkëmbyera me autoritetet austriake, tha zëdhënësi i zyrës së hetimeve penale në North Rhine-Westphalia, Frank Scheulen.

Top Channel