Abuzimi seksual “high tech”

23/01/2017 00:00

Teknologjia dhe rrjetet sociale janë mjete që mund të shfrytëzohen në raste emergjencash për të informuar mbi diçka që ndodh diku, por këto mjete mund të keqpërdoren, kur bien në duart e gabuara, të kriminelëve.

Tre meshkuj janë arrestuar gjatë së dielës në Suedi, me akuzën e përdhunimit, pas raportimeve për një sulm seksual ndaj një gruaje, që ishte transmetuar drejtpërdrejt edhe në rrjetin social “Facebook”.

Policia në Uppsala ishte kontaktuar mëngjesin e sotëm nga një grua, e cila kishte denoncuar atë që kishte parë: një video ku shfaqej një femër që përdhunohej në grup, e që ishte publikuar në një grup të mbyllur në rrjetin social.

Sipas saj, videoja përfundonte me fjalët e njërit prej agresorëve “Ti u përdhunove tashmë” dhe me të qeshurat e tij. Policia konfirmoi më vonë se edhe ata, sikurse shumë ndjekës të atij grupi, i kishin parë pamjet. Grupi në fjalë në “Facebook” thuhet se ka disa mijëra anëtarë.

Policia konfirmoi se i kishte gjetur dhe i kishte arrestuar 3 agresorët e moshave 19-25 vjeç, por edhe gruan e këtij sulmi në një apartament të zonës.

Ajo që e denoncoi këtë ngjarje, 21-vjeçarja Josefine Lundgren, teksa fliste për tabloidin suedez “Expressen”, tha se kishte parë një mashkull të zhvishte femrën e sulmuar dhe të shtrihej sipër saj. Njëri prej agresorëve ishte madje edhe i armatosur.

Top Channel