Hetimi për CEZ-in, Kalaj nuk paraqitet

23/01/2017 00:00

Dëshmitari kyç në hetimin parlamentar për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë nga CEZ, Nue Kalaj nuk u paraqit përsëri përpara komisionit.

Policisë iu kërkua sjellja e tij me forcë, në bazë të ligjeve tona, pasi rezulton se ky person ka marrë nënshtetësi shqiptare në dhjetor të vitit 2015. Dekreti i Presidentit Bujar Nishani me numër 9360 i ka dhënë Nue Nik Kalajt nënshtetësinë shqiptare.

Dëshmia e Kalajt është thelbësore për mazhorancën për të hedhur dritë mbi një nga privatizimet më të rëndësishme dhe që më pas rezultoi i dështuar. Grupit CEZ në Çeki komisioni i është drejtuar zyrtarisht në lidhje me marrëdhëniet që ka pasur me Nue Kalajn dhe arsyen pse janë bërë pagesat.

“Ne i kemi dërguar drejtorit të përgjithshëm të “CEZ” në Pragë një shkresë ku i kërkojmë një kopje, nëse ka, të një kontrate konsulence të CEZ, e bërë sipas deklarimeve në media të Kalajt. Gjithashtu, ne i kemi kërkuar kompanisë të sqarojë përse nga numri i llogarisë së saj në Pragë ka derdhur para për këtë person”, deklaroi kryetari i komisionit, Taulant Balla.

Ndërkohë, personi tjetër i lidhur me Nue Kalajn në këtë çështje, shtetasi kosovar Hamza Merxhani ka pranuar të dëshmojë me anë të një videokonference nga Praga, qytet në të cilin ai jeton. 

Komisioni ka marrë në administrim nga policia edhe lëvizjet jashtë shtetit të Nue Kalajt, Shkëlzen Berishës dhe Kastriot Ismailajt për periudhën që është shtrirë hetimi.

Top Channel