Bayern, Ribery dhe Alaba “ndërrojnë” sport (Video)

23/01/2017 00:00

Franck Ribery dhe David Alaba e lënë për një moment fushën e futbollit, për t’iu dedikuar makinave. Futbollistët e Bayern Munchen kaluan fundjavën në alpet austriake, të shoqëruar nga ish-piloti i garave “Rally”, Sepp Haider.

Ribery dhe Alaba mbetën të habitur nga teknika e pilotimit të Haider dhe nuk e fshehën aspak entuziazmin e tyre për atë çfarë panë në alpet austriake.

“Ishte diçka argëtuese. Është një sport krejtësisht ndryshe nga futbolli, me një tjetër lloj adrenaline. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu”, deklaroi Ribery.

Ribery dhe Alaba ishin në ditën e tyre të pushimit pas ndeshjes me Freiburgun, të cilën Bayern e fitoi 2-1, duke u shpallur edhe kampion i dimrit. Bavarezët do të luajnë 3 ndeshje në kampionat përpara se të përballen me Arsenalin në 1/8-at e finaleve të Champions League.

Për Riberynë është e rëndësishme që skuadra e tij të fitojë sa më shumë ndeshje, për të përforcuar edhe më shumë besimin në këtë kompeticion.

Sfida mes Bayernit dhe Arsenalit është kthyer në një “klasike” të futbollit europian. Që nga viti 2013, këto dy skuadra janë përballur edhe dy herë të tjera në 1/8-at e finaleve të Ligës së Kampionëve, me Bayernin që ka dalë i fituar në të dyja rastet. Në sezonin 2015-2016, Bayern e Arsenal ishin në një grup, që në fund u fitua nga kampionët e Gjermanisë.

Top Channel