Xhirimi fatal i një videoklipi

23/01/2017 00:00

Një aktor ka mbetur i vdekur nga një e shtënë, teksa ishte duke xhiruar videoklipin e një kënge në qytetin australian Brisbane. 20-vjeçari mori plagë në mushkëri brenda lokalit “Brooklyn Standard” në qendër të qytetit, sipas asaj që informon policia e Queenslandit.

Në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë sulm terrorist, apo një vrasje. Vdekja e tij duket se ka ardhur pikërisht nga armët që ishin boshatisur, me gjasë jo të gjitha, enkas për të xhiruar videoklipin e grupit të hip hopit nga Sidnej, “Bliss n Eso”.

Stafi menaxherial i bandës muzikore lëshoi më pas një deklaratë për mediet australiane, ku konfirmonte vdekjen e aktorit. “Stafi i produksionit të videoklipit dhe ne po punojmë me policinë në hetimin e tyre, ndaj dhe nuk mund të japim komente të tjera në këtë moment”, thuhej në deklaratë. Sipas saj, pjesëtarët e bandës muzikore nuk ishin të pranishëm në momentin e incidentit.

Inspektori i policisë Armitt tha për reporterët se kanë nisur një hetim penal. “Nuk e dimë sesi ndodhi ngjarja për momentin, kjo gjë mbetet për t’u zbardhur nga hetimi ynë”, tha ai, duke shtuar se stafi i produksionit ishte përpjekur t’i bënte frymëmarrje artificiale viktimës, i cili gjithsesi nuk mundi të mbijetonte.

Deri më tani nuk dihet sesa plumba janë qëlluar, por askush tjetër nuk është plagosur dhe nuk ka më rrezik për publikun, njoftoi policia.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel