SHBA, 18 viktima nga stuhitë vrasëse në shtetet e Jugut

23/01/2017 00:00

Moti ekstrem në jugun e Shteteve të Bashkuara ka marrë 18 jetë njerëzish, e ka plagosur shumë të tjerë. Numrin më të madh të viktimave e pati Georgia.

Guvernatori Nathan Deal u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në 7 konte, ku gjetën vdekjen 14 vetë. Pjesa më e madhe e tyre ishin viktima të përplasjes së një tornadoje mbi një park rulotash. Trombat e ajrit vranë edhe 4 persona në Mississippi.

Tornadot kërcënojnë tani Floridën jugore, ku autoritetet paralajmërojnë për dëme nga erërat e fuqishme dhe breshëri. Në Scottsville të Teksasit, banorët mezi po e marrin veten nga rrebeshet dhe erërat e furishme që dëmtuan prona, rrëzuan pemë e dëmtuan linja të energjisë elektrike.

“Aq të forta ishin erërat, sa e shkundën shtëpinë nga themelet. Mbulova kokën se nuk dija ç’të bëja”, tha Earnest Marshall.

Njerëzit në zonë janë bërë bashkë për të hequr pirgjet e inerteve. Në kontenë Brooks të Georgias, dy vetë vdiqën pasi tornadoja e ngriti rulotën e tyre në ajër dhe e hodhi gati 100 metra larg. Presidenti Donald Trump njoftoi se ka diskutuar mbi situatën me guvernatorin e Georgias, Deal, dhe i ka përcjellë ngushëllimet e tij për jetët e humbura.

Top Channel