Ja pse nuk duhet ta thekni shumë bukën

23/01/2017 00:00

Thekja e bukës mund të duket gjëja më e thjeshtë në botë, por nuk është pikërisht ashtu. Ekspertët kanë dalë tashmë në përfundimin se, buka nuk duhet thekur deri në atë pikë sa të marrë ngjyrë të kaftë.

Ajo duhet hequr kur nis e bëhet e verdhë, sepse po u la më gjatë kthehet në rrezik për krijimin e një kimikati që shkakton kancer. E njëjta gjë vlen edhe për patatet e patatinat.

Elementi i ekspozuar si i dëmshëm për shëndetin, Akrilamid, prodhohet kur ushqime që përmbajnë niseshte skuqen, piqen apo kalohen në zgarë për një kohë të gjatë në temperatura të larta.

Agjencia e standardeve të ushqimit “FSA” rekomandon kujdes në këtë drejtim, edhe pse Qendra për kërkime mbi kancerin në Mbretërinë e Bashkuar këmbëngul se nuk është provuar ndikimi mbi njerëzit.

“FSA” thekson gjithashtu se patatet dhe pastinaku nuk duhen mbajtur në frigorifer, pasi në temperatura të ulëta, niveli i sheqerit te këto perime rritet, duke shtuar sasinë e Akrilamidit që prodhojnë më pas gjatë gatimit.

Te buka, prania e këtij elementi është më e madhe, kur ajo lihet në thekëse për një kohë të gjatë. Sa më e errët ngjyra e bukës, aq më i lartë është niveli i kimikatit. Gjatë procesit të thekjes, sheqeri, aminoacidet dhe uji i pranishëm në bukë bashkohen, për të krijuar ngjyrën dhe Akrilamidin, ashtu siç ndodh edhe me shijen dhe aromën.

Top Channel