Ditë golash për shqiptarët e “huaj”

22/01/2017 00:00

Shqiptarët Shkodran Mustafi, Blerim Xhemaili dhe Besart Berisha të cilët kanë zgjedhur të luajnë për fanellë të kombëtareve të tjera dhe jo atë kuqezi, kanë shpërthyer në gola me ekipet e tyre.

Paraqitje impresionuese e mesfushorit shqiptar të kombëtares zvicerane Blerim Xhemaili këtë të diel në serinë A. Futbollisti nga Tetova ishte heroi i Bolonjës në fitoren 2-0 ndaj Torinos. Të dy golat e shënuar nga Xhemajli ndihmuan vendasit në betejën për mbijetesën.

Arsenal i rezervoi një ndeshje dramatike tifozëve në “Emirates Stadium”, me suksesin që mori përmasat e një trilleri e ku u bënë protagonistë edhe futbollistët me kombësi shqiptare, por që luajnë me të tjera përfaqësuese. Topçinjtë kaluan Totenhemin dhe Liverpulin duke marrë vendin e dytë në Premier League, pas triumfit 2-1 kundër Bërnli, ku Shkodran Mustafi shënoi një gol ndërsa Granit Xhaka doli me karton të kuq.
 
Ish futbollisti i kombëtares shqiptare Besart Berisha vazhdon të konfirmohet nga java në javë si një prej shënuesve më profilikë në kampionatin australian. Bomberi nga Prishtina që ka bërë të ditur se do të luajë me përfaqësuesen e Kosovës pasi më parë mbrojti ngjyrat kuqezi, ishte protagonist në ndeshjen e fundit të Melbërn Sitit. 31 vjecari humbi një penallti, por ia doli të shënojë në rastin e dytë, që gjithsesi nuk e evitoi dot humbjen e Melbërnit ndaj Perth.

Top Channel