Mësuesi hero; Shpëton nxënësit, por humbet fëmijët e tij

22/01/2017 00:00

Pas tragjedisë me autobusin hungarez në Italinë e veriut, një histori heroizmi mbeti në hije nga dhimbja e tmerrshme që pasoi.

György Vigh, mësuesi i edukimit fizik, udhëtonte me bashkëshorten Erica, djalin Balazs dhe vajzën adoleshente Laura, kur autobusi u rrëzua në afërsi të Veronës, mbrëmjen e së premtes.

Autobusi, po kthente fëmijë shkolle, mësues dhe prindër në Budapest, pas një udhëtimi në alpet franceze. Ai doli jashtë rruge, u përplas me barrierat mbrojtëse dhe u përfshi nga flakët.

16 persona, pjesa më e madhe nxënës, humbën jetën dhe rreth 40 të tjerë u plagosën. György, mësues në shkollën Szinyei Merse Pál në Budapest, dhe bashkëshortja e tij, shpëtuan dhjetëra nxënës që të shokuar nga aksidenti, nuk mundeshin të lëviznin.

Çifti, u kthye në mesin e flakëve për të tërhequr jashtë nxënësit dhe gjatë aktit heroik të tyre, Gyoergy dhe Erika pësuan djegie të shumta. Por, fatkeqësisht, çifti nuk mundi të shpëtonte fëmijët e tyre. Erika tregon se vajza e tyre ishte ulur më të dashurin dhe në momentin e aksidentit ata po flinin.

Ajo rrëfen se u përpoq të gjente Laurën por ajo ishte e bllokuar nën sedilje dhe nuk kish mundur ta nxirrte. Nëna e traumatizuar thotë se u përpoq, por zjarri ishte përhapur shumë shpejt, dhe gjithçka kishte marrë fund para syve të saj. Edhe djali 30 vjecar i ciftit, Balazs, është mes viktimave. György dhe Erika u trajtuan në një spital në Verona, dhe më pas, me një avion shtetëror, u kthyen në Budapest.

Top Channel