Tenis, pas Djokoviç eliminohet edhe Murray

22/01/2017 00:00

Numri 1 i botës Andy Murray është eliminuar që në raundin e katërt nga Australian Open pasi është mundur 3-1 me sete me rezultatet 7-5 5-7 6-2 6-4, nga gjermani Mischa Zverev në “Rod Laver Arena”.

Kjo është surpriza e dytë në këtë Grand Slam pas eliminimit të dy ditëve më parë të Novak Djokoviç dhe për herë të parë pas shumë vitesh një turne i tillë vazhdon në çerekfinale pa dy kryesuesit e klasifikimit të përgjithshëm për meshkuj.

Ndërkohë është kualifikuar për më tej 35 vjeçari Roger Federer, i cili kaloi vendin e pestë në botë Kei Nishikori. Edhe pse ka munguar prej mëse 6 muajsh rikthimi i tenistit zviceran është dukshëm në nivele të larta, pavarësisht se kjo ndeshje zgjati 3 orë e 24 minuta. Në çerekfinale ai do të luaj përball Mischa Zverev.

Në të njëjtën ditë është eliminuar nga Australian Open edhe numri 1 për femra, tenistja gjermane Angelique Kerber, e cila u mund nga amerikania Coco Vandeweghe me 2 sete me shifrat 6-2 6-3.

Edhe kjo ndeshje u zhvillua në “Rod Laver Arena”, e njëjta fushë ku disa orë më parë ishte eliminuar numri një i meshkujve Murray.

Ndërkohë Venus Williams avancon në turneun australian pasi ka mundur në dy sete gjermanen Mona Barthel. Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për 36-vjecaren Williams kjo ndaj gjermanes dhe për këtë mjafton të shohësh që seti i parë zgjati 42 minuta, ndërsa e gjithë ndeshja përfundoi pas 96-të minutash. Në çerekfinale tenistja amerikane do të përballet me tenisten ruse Anastasia Pavlyuchenkova.

Top Channel