Interi i Piolit i pandalshëm, edhe pa Piolin

22/01/2017 00:00

Nën drejtimin e Stefano Piolit zikaltërit e Interit kanë arritur të rigjejnë fitoret e njëpasnjëshme në Seria A, 6 të tilla pas fitores së sotme në transfertë ndaj Palermos.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në të 65’ nga Joao Mario, i cili i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes së Palermos duke u kthyer në heroi e ndeshjes 10 minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës.

Por në minutën e 81’, Interi ka mbetur me 10 lojtarë në fushë pas largimit me karton të kuq të Ansaldi ndaj të cilit arbitri kryesor, Massimiliano Irrati , ka treguar kartonin e dytë të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

Por Ansaldi nuk ka qenë i vetmi që është ndëshkuar nga Irrati, edhe trajneri i Interit Stefano Pioli është detyruar të largohet nga stoli pas protestave për ndëshkimin e mbrojtësit të tij.

Në të 83’ Palermo barazoi në mënyrë jo të rregullt rezultatin, duke nisur lojën gjatë një faulli ndërsa ekipi i Interit ende nuk kishte formuar murin. Gol i cili u anulua menjëherë nga kryesori Irrati.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat, por vlen për t’u theksuar se disa sekonda nga fishkëllima përfundimtare ka ardhur barazimi në numër lojtarësh, pas daljes me të kuqe të mesfushorit të Palermos, Alessandro Gazzi.

Top Channel