3 persona me aftësi të kufizuar në familje, pa pension invaliditeti

22/01/2017 00:00

Skënder Tabaku jeton bashkë me familjen në kushte të vështira ekonomike, në fshatin Jubë-Sukth të Durrësit. Historia e tij nis kur ishte foshnje dhe një lojë e pafajshme e vëllezërve e lë të gjymtuar përjetë, me brinjë të dëmtuara, këmbë të thyera e të pafuqishme për të përshkuar distanca e qëndruar gjatë mbi to.

Edhe e shoqja, Bukurija, është me aftësi të kufizuara që në lindje, por duhet të jetë e fortë.
 
Ndjehen të pafuqishëm përballë personave vendimmarrës për fatin e tyre, pasi, edhe pse gjendja fizike e tyre nuk ka ndryshuar dhe as kriteret e përfitimit të pensionit të invaliditetit, ata përballen me vendime arbitrare të komisioneve mjekësore që herë ua refuzojnë dhe herë ua njohin të drejtën për pagesë invaliditeti a ndihmë ekonomike.

“Unë dua drejtësi: më takon apo nuk më takon. Nuk doja ta bëja publike, por nuk kemi drejtësi. Kjo që po bëjmë ne është jetë qeni. Me bukë thatë nuk jetohet“, thotë çifti.
 
Edhe i biri ka pësuar  një aksident rrugor teksa kthehej në shtëpi dhe tani nuk është i aftë për punë. Shpesh u duhet të marrin borxh për të mbuluar nevojat bazë për drita e ushqim. Jeta është kthyer në një luftë të përditshme, por dinë të jenë mirënjohës ndaj të afërmve dhe një OJF-je në Durrës, që u ka mundësuar ndër të tjera dhe shkollimin e vajzës.

Top Channel