Qeveria e majtë, prej tre vjetësh në pushtet, ka stimuluar arsimin e mesëm profesional. Përpjekja për të nxitur rininë të profilizohet në zanate vjen për shkak të mungesës së madhe në tregun e punës të specialistëve, duke filluar nga saldimi e deri te gatimi. Si rezultat, tashmë ka mbi 500 të punësuar të rinj, të cilët gjetën punë pas fillimit të kurseve profesionale.

Ervini është 29 vjeç. Ka përfunduar shkollën e mesme elektrike dhe ka punuar rregullisht në ndihmë të familjes, por asnjëherë si punonjës i licencuar.

“Në shkurt e përfundoj kursin. Unë e dashuroj saldimin dhe mendoj t’i shkoj deri në fund këtij profesioni”, tregon Ervini.

Të regjistruar në kurset profesionale, vetëm për vitin 2016, janë 4200 të rinj, të moshave 20-24 vjeç, pa përjashtuar edhe disa 60-vjeçarë.

“Mendoj se është kurs frytdhënës për mua. Mund të hap diçka privatisht nesër”, thotë një nga kursantet.

Raporti i kursantëve është 50 me 50, djem dhe vajza, por në profile të caktuara si rrobaqepësia apo parukeria, kursantët janë të gjitha femra.

“Aktualisht, kemi 19 kursante të regjistruara. Ka edhe nga rrethet, jo vetëm nga Tirana. Këtu mësohet gjithçka që i duhet një parukiereje për të qenë e kompletuar”, thotë mësuesja e kursit të parukerisë.

Po cilat janë profilet më të kërkuara nga të rinjtë që duan të kenë një zanat? Piro Jani, drejtor i Drejtorisë së Formimit Profesional Publik, tregon: “Kuzhina është më e kërkuara. Më pas vijnë kurset e saldimit dhe kurset e hidraulikës. Ka edhe rritje për kurset e kujdestarisë për fëmijë apo për të moshuar”.

Top Channel