Hungari, ankth për identitetet e nxënësve të aksidentuar

22/01/2017 00:00

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto ka thënë këtë të dielë se do të duhen ditë derisa të identifikohen 16 viktimat e autobusit, të përplasur në Itali teksa transportonte studentët hungarezë në kthim nga një ekskursion skijimi.

Sipas tij, në mjetin e përfshirë në aksidentin pranë Veronës, mbrëmjen e vonë të së premtes, ishin 54 pasagjerë dhe dy shoferë hungarezë, prej tyre 43 të mitur dhe 11 të rritur. Dy prej njerëzve në moshë madhore ishin shtruar në spital në gjendje kritike për jetën, por edhe për këta duhet ende kohë mësimi i identitetit.

Szijjarto, i cili u shfaq i shokuar nga aksidenti, tha se ditët në vijim do të mbeten sfiduese emocionalisht, mbi të gjitha për familjarët e atyre që kanë humbur njerëzit e dashur, apo të të plagosurve.

“Ka kaluar vetëm një ditë nga tragjedia dhe është e qartë se dhimbja është shtuar”, tha ai për reporterët. “E ndërsa momenti i shokimit thuajse ka kaluar, humbjet bëhen edhe më të dhimbshme. Procesi i gjatë dhe i dhimbshëm i identifikimit të trupave të pajetë pritet të fillojë tani”.

Shumica e pasagjerëve ishin nxënës nga shkolla e mesme e Budapestit, që ktheheshin nga një ekskursion në ambiente skijimi në Francë. Katër pasagjerë u shtruan në spital me dëmtime serioze. Szijjarto tha se njëri prej të rriturve në gjendje kritike kishte pësuar djegie të gradës së tretë në 60 për qind të trupit, ndërsa tjetri u ishte nënshtruar operacioneve për dëmtime të rënda në kokë.

Të shtunën pasdite, qindra nxënës të shkollës së mesme “Szinyei Merse Pal”, prindër dhe shokë të tyre ndezën qirinj në emër të të plagosurve dhe viktimave. Megjithatë, veç identiteteve nuk janë përcaktuar ende as shkaqet e aksidentit. Zyrtarët italianë thonë se autobusi mori flakë pasi goditi barrierën e autostradës dhe më pas ishte përplasur me kolonën mbështetëse të një mbikalimi.

Top Channel