Kosovë, disa deputetë refuzojnë t’u rritet paga

22/01/2017 00:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, veç pagës mujore prej 1.500 eurosh gëzojnë edhe përfitime të tjera financiare për çdo aktivitet të tyre. Për dy seanca plenare gjatë muajit, ata marrin 240 euro të tjera, sikurse për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare me plot 160 euro. Përafërsisht, të ardhurat mujore të deputetëve në total arrijnë ose tejkalojnë shumën prej 2.000 eurosh.

Pavarësisht këtyre shpërblimeve, në bazë të projektligjit të ri për pagat të zotëruar nga “REL” dhe të miratuar nga Qeveria e Kosovës, në nenin 19 është shtuar një pikë ku propozohet rritja e pagave për pjesëmarrje në seanca dhe komisione parlamentare, deri në 20 për qind të pagës bazë. Sipas këtij propozimi, deputetët do të marrin 300 euro për seancë.

Por shoqëria civile dhe disa deputetë të partive qoftë në qeveri, ashtu dhe në opozitë, e kanë kundërshtuar këtë projektligj, pasi e konsiderojnë të padrejtë rritjen e pagave për këtë kategori.

Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e legjislativit, thonë se duhet pritur versioni përfundimtar që do të dërgohet në Kuvend, në mënyrë që të analizohet nëse bëhet fjalë për rritje të pagës bazë apo të shpërblimeve, apo për uljen e pagës së deputetëve.

Albert Krasniqi, nga “IDK”, e konsideron të paarsyeshme çfarëdo rritje të të ardhurave të deputetëve.

“Paga mesatare vjetore e deputetëve është rreth 23 mijë euro, dukshëm më e lartë sesa paga mesatare në Kosovë, e cila është 360 euro, kurse për deputetët është 2.000 euro. Pra, flasim për pesëfishin e rrogës së deputetëve në lidhje me pagën mesatare. Zhvillimi ekonomik i Kosovës është shumë i ngadalshëm dhe çdo rritje e pagave të deputetëve do të duhej të lidhej me pagën mesatare”, vlerëson Krasniqi.

Disa nga deputetët thonë se nuk e kanë parë ende projektligjin, por theksojnë se propozimi për rritjen e shtesave është në kundërshtim me gjendjen sociale ekonomike në vend. Miratimin e këtij projektligji dhe rritjen e shtesave për deputetët e kundërshtojnë edhe disa pensionistë, të cilët marrin nga 75 euro në muaj.

Top Channel