Indi, viktima e të plagosur nga aksidenti hekurudhor

22/01/2017 00:00

Të paktën 36 persona humbën jetën e shumë të tjerë u plagosën pas aksidentimit të një treni në shtetin indian të Andhra Pradesh.

Lokomotiva e 9 vagonë dolën nga shinat pranë stacionit të Kunerus në distriktin e Vizianagaram. Shumë persona kanë mbetur të bllokuar në vagonët e shkatërruar dhe ekipet e shpëtimit paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.

Shkaku i aksidentit nuk është konfirmuar ende, por raste të tilla nuk janë të pazakonta në Indi, ku shumica e pajisjeve të transportit hekurudhor janë tepër të vjetra.

Autoritetet e hekurudhës kombëtare njoftuan se shërbimet e emergjencës kishin qenë operative përgjatë të gjithë natës, në përpjekjen për të gjetur të mbijetuar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ndërsa treni po udhëtonte nga Jagdalpur në Bhubaneswar, kryeqyteti i shtetit të Odishas. Nëntorin e kaluar, dalja e një treni nga shinat në shtetin verior të Utar Pradeshit i kushtoi jetën më shumë se 140 personave.

Top Channel