Papa Françesku: Populizmi po krijon diktatorë

22/01/2017 00:00

Papa Françesku paralajmëroi kundër rritjes së populizmit dhe rreziqeve të politikave që çojnë drejt krijimit të diktarorëve të tillë si Hitleri.

Komentet, ai i bëri pas betimit të presidentit amerikan Donald Trump, në një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais”.

Kreu i Selisë së Shenjtë dënoi përdorimin e mureve dhe telave me gjemba për të mbajtur larg të huajt, gjithsesi shtoi se ishte ende herët për të gjykuar udhëheqësin e ri amerikan.

“Le të shohim ç’do të bëjë Trump”, ishin fjalët e tij. Miliarderi ka ngjallur kundërshti me komentet e tij për emigrantët meksikanë dhe planet për nderimin e një muri për të mos lejuar hyrjen e tyre.

Pikërisht për këtë çështje, Papa argjentinas e kritikoi republikanin gjatë fushatës, duke vënë në dyshim besimin e tij të krishterë. I pyetur nëse ishte i shqetësuar për rritjen e populizmit në Europë dhe SHBA, Papa Françesku u shpreh:

“Krizat shkaktojnë frikë, alarm. Sipas mendimit tim, shembulli më i qartë i populizmit europian është Gjermania në vitin 1933. Gjermania ishte e rrënuar, në kërkim të një udhëheqësi në gjendje për t’i rikthyer vendit identitetin e tij, e një i ri i quajtur Adolf Hitler tha se mund ta bënte këtë”.

Papa kujton se ai nuk e kishte marrë me dhunë pushtetin dhe se vet gjermanët kishin votuar për Hitlerin.

Top Channel