Trump akuzon mediet për pandershmëri

22/01/2017 00:00

Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara refuzon të pranojë raportimet për pjesëmarrje të ulët në ceremoninë e betimit të tij dhe akuzon mediet për pandershmëri.

Donald Trump këmbëngul se turma e njerëzve arrinte deri te Monumenti i Uashingtonit, teksa ai fliste në Capitol Hill, pavarësisht se provat fotografike tregojnë të kundërtën. Këto komente, ai i bëri gjatë një vizite në zyrat qendrore të CIA-s, në Langley të Virxhinias, që u pa si një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës.

Teksa i quajti gazetarët si qeniet më të pandershme në botë, ai i fajësoi ata për sajesën e një armiqësie mes tij dhe komunitetit të inteligjencës.

“Siç e dini, jam në luftë me median. Ata janë mes njerëzve më të pandershëm në tokë. Në njëfarë mënyre sajuan një armiqësi timen me shërbimet e zbulimit, kur në fakt është krejt e kundërta”, tha Trump.

Më vonë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer foli për audiencën më të madhe të parë në ndonjë ceremoni betimi. Në një reagim pas vizitës së Trumpit në zyrat e CIA-s, ish-kreu i agjencisë John Brennan fshikulloi udhëheqësin e ri, për atë që e quajti një shfaqje të urryeshme arrogance.

“Duhet t’i vijë turp nga vetja”, ishte komenti i Brennan. Të shtunën, miliona njerëz në SHBA dhe rreth globit protestuan kundër administratës së re të Trumpit. Manifestimi më i madh në Amerikë u mbajt në Uashington, me një pjesëmarrje prej mbi 500 mijë personash sipas vlerësimeve, më e lartë sesa në betimin e Presidentit, ku siç thuhet ishin 250 mijë vetë.

Zgjedhja e Trumpit ka përçarë opinionin në SHBA dhe në botë. Në një editorial për “Bild”, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi se botën e presin kohëra të trazuara. “Me zgjedhjen e Donald Trumpit, bota e shekullit të XXI-të është zënë në befasi”, shkruan ndër të tjera ai.

Top Channel