Serie A, Napoli gjunjëzon Milan në 3 minuta

21/01/2017 00:00

Napoli ka gjunjëzuar Milanin në San Siro. Kanë mjaftuar 9 minutat e pjesës së parë që mysafirët të linin shenjën e tyre.

Fillimisht ka qenë Insigne që pasi ka marrë një pasim nga Mertens ka hyrë në zonë dhe me një diagonale ka futur topin në rrjetë në minutën e ‘6.

Por napoletanët nuk janë mjaftuar me kaq. Vetëm 3 minuta më vonë sërish Mertens ka pasurar saktë për Callejon, që nga një pozicion i vështirë ka futur topin mes këmbëve të portierit Donnarumma, duke dyfishuar rezultatin.

Milanezët janë përpjekur të reagojnë dhe në minutën e ’37, Kucka ka rekuperuar një top të humbur nga Tonelli dhe pasi ka dalë i vetëm përballë Reina ka çuar topin në rrjetë me një lëvizje dinake.

Pjesa e dytë e ndeshjes ka folur më shumë për Milanin. Kuqezinjtë kanë dominuar shumicën e lojës duke iu afruar zonës kundërshtare, por pa konkretizuar si duhet sulmet e tyre.

Top Channel