Rrugëtimi i shpresave, Bushi: Mbi 10 lojtarë nga lista për t’u vëzhguar

21/01/2017 00:00

Më pak se një javë nga grumbullimi i parë që Alban Bushi bën si trajneri i kombëtares U21, duket se idetë e tij janë më të qarta për listën prej 21 lojtarë që ka grumbulluar. Një pjesë e tyre vijnë për të herë të parë dhe me sa duket jo të gjithë janë në nivelin e kërkuar.

“Ka qenë një grumbullim i rëndësishëm, sepse është hera e parë dhe nuk njihja asnjë lojtar, përveç atyre që i kisha parë në DVD. Gjithësesi jam i kënaqur për këto 3-4 ditë, sepse janë disa elementë që premtojnë për të ardhmen. Të luash me ekipin kombëtar duhet të kesh një nivel shumë më të lartë”, thotë Bushi.

Megjithatë, ky është vetëm grumbullimi i parë dhe si këto do të ketë disa. Alban Bushi tregon se për hartimin e listave kanë kontribuar të gjithë trajnerët e moshave zinxhire, deri tek De Biasi, për të formuar një grup sa më të mirë i cili objektiv kryesor ka furnizimin e kombëtares A me elementët më të mirë. Por, Bushi pretendon diçka më tepër.

“Unë kam një listë prej 60-65 lojtarësh, por kjo nuk do të thotë që ai që është i 66-i nuk mund të jetë pjesë e ekipit. Nëse ai është më në formë se këta që kemi, patjetër që mund të vijë ai. Objektivi im është të fitojmë të gjitha ndeshjet. Në vartësi të shortit do të kërkojmë edhe rezultatet sepse luhet në nivele të larta”, shton Bushi.

Top Channel