“Rikthehet” kampionati

21/01/2017 00:00

Në mungesë të ndeshjeve të kampionatit për shkak të marrëveshjes që bën skuadrat për ta shtyrë rifillimin e dy fazave të tjera edhe me një javë, një pjesë e mirë e skuadrave, tashmë të rikthyera edhe nga faza stërvitore në Antalia të Turqisë kërkojnë të mbajnë ritmin duke provuar forcat në miqësore.

Nuk ka patur dallim mes skuadrave të Superiores apo kategorive inferiore dhe nisur nga kjo derbi i kryeqytetit, Dinamo-Partizani, por të kuqtë në versionin B, ishte një ndër ato ndeshje që mjafton emri i skuadrave dhe fanellat, për të ndezur të paktën nostalgjinë dhe të kujtuar zbehjen e një skuadre historike.

Partizani B është një skuadër e Kategorisë së Dytë mes pretendentëve për t’u ngjitur në të Parën, aty ku ndodhen “blutë kryeqytetas”.

Dinamo edhe pse një emër i madh i historisë së futbollit tonë ndodhet shumë larg historisë, e mbytur në probleme financiare e burokratike.

“Për t’u rikthyer Dinamo e dikurshme duhet shumë gjëra. Ne kemi probleme me ambientet dhe shumë gjëra të tjera. Objektivat tonë janë modest, për të qenë në kushte komode në renditje dhe këtë besoj se do ta realizojmë me sukses”, shprehet Igli Allmuca, trajner i Dinamos.

Sa i përket rezultatit këtë ndeshje e fitoi Partizani B me shifrat 2-0. Ndërkohë Tirana ka fituar mes problemeve të shumta të mungesave në “Selman Stërmasi” 1-0 përball Luftëtarit.

“Më tepër ju ruajta dëmtimeve që mund të pësonin lojtarët. Janë thirrur djem të rinj dhe nëse ata do ta shfrytëzojnë e kanë shansin për të luajtur me Tiranën”, tha Josa, trajner i Tiranës.

“Edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore pamë shumë raste dhe një gol. Unë jam i kënaqur. Objektivi ynë i parë është qëndrimi në Superiore. Jemi në pritje të lojtarëve që do të vijnë. Shpresoj që pas ndeshjes me Partizanin t’i kem të gjithë në dispozicion”, tha trajneri i Luftëtarit, Mlladen Milinkoviç.

Ndërkohë, Vllaznia është mundur 1-0 nga Besëlidhja në Lezhë në miqësoren e zhvilluar pikërisht në këtë qytet. Një ndeshje që vlen ashtu si të tjerat për të parë gjendjen e skuadrës, por shkodranët janë në një kaos nga i cili pak po kuptohet se çfarë ndodh.

“Gjërat që na kërkon trajneri ne mundohemi t’i bëjmë maksimalisht, ndërsa për të tjera nuk kam asnjë informacion. Vllaznia ka nevojë edhe për 11 lojtarë, nëse do të afroheshin cilësorë”, tha Ndriçim Shtubina, kapiten i Vllaznisë.

Top Channel