21 Janari, homazhe në nder të viktimave

21/01/2017 00:00

Për të gjashtin vit radhazi, Edi Rama dhe familjarët e Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës marshuan në heshtje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vendosur lule në vendet ku më 21 janarin e 2011-s ata u vranë.

Edhe sot, 6 vite më pas, familjarët e tyre kërkojnë drejtësi. “Reforma në drejtësi është e vetmja rrugë që ne, besoj, mund të zbardhim çështjen e pezulluar e të pluhurosur në zyrat e prokurorisë dhe gjykatës”, u shpreh Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.

“Mendoj se do të dalin para përgjegjësisë ata gjyqtarë e prokurorë që e kanë mbyllur këtë çështje kështu. Ajo që kemi kërkuar nuk është realizuar akoma, por shpresojmë se do të realizohet”, tha Trëndafile Muhameti, motra e Ziver Veizit.

Më herët, kryeministri Edi Rama i priti ata në Pallatin e Brigadave, ku tha se 21 Janari 2011 ishte nxitja kryesore për të vënë në jetë reformën në drejtësi.

“Vrasjet e 21 Janarit dhe viktimat e pafajshme të plumave të shtetit u bënë nxitja më e fortë mes shumë nxitjeve dhe arsyeja më kokëfortë mes shumë arsyeve për të ndërmarrë reformën më të thellë dhe më transformuese të drejtësisë në këtë vend prej 25 vjetësh. Spastrimi i pallatit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar është misioni ynë i patjetërsueshëm dhe sot është një mision i mundur falë reformës. Duhet ta përsëris me më shumë bindje se një vit më parë, se drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë por nuk do të harrojë”, deklaroi Rama.

Top Channel