Rekordmeni Rooney: Nuk e prisja këtë kur iu bashkova United

21/01/2017 00:00

Me golin e barazimit të shënuar ndaj Stoke City-t, Wayne Rooney u shndërrua në golashënuesin më të mirë në historinë e Manchester United me 250 të tillë!

Një rekord për të cilin mori urime të pafundme nga lojtarë e ish-lojtarë të “Djajve të Kuq”, duke qenë se lë pas në renditje emra të mëdhenj të futbollit botëror si Sir Bobby Charlton dhe Denis Law, respektivisht me 249 dhe 237 gola të shënuar për United.

Në përfundim të ndeshjes sulmuesi u shpreh tejet i lumtur me këtë arritje historike për të. “Për mua do të thotë shumë. Është një nder i madh dhe jam krenar. Është e vështirë për momentin ta shpreh këtë kënaqësi për shkak të rezultatit, por përveç kësaj është një nder i madh. Nuk është se e prisja këtë kur iu bashkova kësaj skuadre. Lojtarët që kanë luajtur për United kanë qenë të klasit botëror dhe është nder i madh që jam golashënuesi më i mirë i historisë së klubit”, tha Rooney.

Sa për barazimin ndaj Stoke sulmuesi mendon se në fund të sezonit kjo pikë gjithsesi mund të rezultojë vendimtare. “Nuk është bukur të humbësh dhe dukej se ne do të humbisnim sot. Por në fund morëm një pikë që mund të vlejë shumë deri në fund të sezonit”, përfundoi ai intervistën e pas ndeshjes.

Top Channel