Ndalimi i Haradinajt: Limaj: Stop dialogut me Serbinë

21/01/2017 00:00

Në një protestë në përkrahje të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, mbajtur në Kosovë, lideri i Nismas për Kosovën, Fatmir Limaj ka kërkuar të vendoset drejtësia.

Njëherësh, Limaj ka kërkuar pezullimin e bisedimeve me Serbinë. “Me kryeministrin Serb Vuçiç duhet biseduar me gjuhën e tij. Ne kërkojmë pezullimin e menjëhershëm e bisedimeve me Serbinë dhe paraqitjen e një strategjie konkrete për veprimet e mëtejshme”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nismës, njëherazi bashkëluftëtari i Haradinajt, tha se kush prek Haradinajn prek edhe themelet e shtetit të Kosovës. Sipas Limajt, Ramush Haradinaj ka qenë gjithmonë i gatshëm të përgjigjet para drejtësisë.

“Ata të cilët udhëhoqën masakrat në Bosnje sot nxjerrin fletarreste politike për njerëzit të cilit kane qenë korrekt me organet e drejtësisë”, deklaron Fatmir Limaj, duke bërë thirrje të ndalet loja me Kosovën dhe të kaluarën e saj.

“Pavarësisht proceseve të montuara, ne nuk e kemi ulur kokën asnjëherë para Serbisë”, garantoi kreu i Nismës për Kosovën, i cili u shpreh i bindur se shumë shpejt Ramush Haradinaj, i ndaluar në Francë, do të kthehet ne Kosovë.

Në protestën në përkrahje të Ramush Haradinajt ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Top Channel