Fëmijët me aftësi ndryshe

21/01/2017 00:00

36 vjet më parë Zela Koka u përball me sfidën më të madhe të jetës së saj. Fëmija i saj i parë u diagnostikua me paralizë cerebrale infantile. Për Zelën dhe bashkëshortin e saj kjo shënoi një kthesë të madhe në jetën e tyre, duke i bërë më të fortë për të luftuar dhe jo vetëm për Dorisin.

Zela, vazhdon të punojë fort së bashku me Dorisin në krah për fëmijët me aftësi ndryshe. Ajo u bën thirrje prindërve që mbi të gjitha të shembin barrierat brenda tyre.

“Unë e di dhe e ndjej që çdo familje që ka një person me aftësi të kufizuara, nuk e bën jetën siç mund ta bënte nëse nuk do ta kishte një fat të tillë, por ju bëj thirrje të gjithë prindërve të rinj që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara që të mos mbyllen brenda tyre. Ata të dinë që fëmijët e tyre kanë të drejtë të jetojnë si gjithë fëmijët e tjerë”, thotë Zela Koka.

Në Bashkinë e Librazhdit sot numërohen 470 fëmijë me aftësi ndryshe, një numër i madh, krahasuar me popullësinë. Për t’ju ardhur në ndihmë këtyrë fëmijëve Bashkia e Librazhdit e mbështetur nga organizata jofitimprurese ofrojnë shërbimet e integruara për fëmijët e të rinjtë.

“Jemi përpjekur të bëhjmë maksimumin. Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’ja lehtësuar sadopak jetesën kësaj kategorie shoqërore”, thotë kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Gurra.

Të dhënat e para të studimit fillestar kombëtar për prevalencën e aftësisë së kufizuar tek fëmijët në Shqipëri flasim për të dhëna të frikshme. 1 në 10 fëmijë në Shqipëri ka të paktën një vështirësi të shkallës së thelluar në funksionim dhe zhvillim.
 

Top Channel