Vallëzimi i parë

21/01/2017 00:00

“Faleminderit, ishte një ditë e jashtëzakonshme”, tha Donald Trump përpara se të largohej nga zyra ovale e të përgatitej për ballot inauguruese.

Tema e të parës prej tyre ishin tingujt magjepsës të “My ëay”, të Frank Sinatra-s. Ashtu siç e do tradita, presidenti i ri ftoi në vallëzim të shoqen, Melanie. Pas bujës së madhe që bëri veshja e saj prej kashmiri bojëqielli në ceremoninë e betimit, krijim i Ralph Lauren, Zonja e Pare shkëlqeu sërish me një fustan të bardhë të derdhur e të hapur tek shpatullat. Melania arriti ta bënte botën të lavdëronte pamjen e saj edhe pse e refuzuar nga stiliste me emër si Tom Ford, Marc Jacobs, e mjaft të tjerë që nuk pajtohen me politikat e Trump-it.

Çiftit iu bashkua më pas zëvendëspresidenti Mike Pence me bashkëshorten Karen. Në vazhdim, u afruan dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së Trump.

Trump pati tre ballo inauguruese, shtatë më pak se paraardhësi i tij Obama. Dy të parat u mbajtën në qendrën e konventave Walter E. Washington, e treta në ndërtesën e Muzeut Kombëtar, ku ishin ftuar edhe ushtarakë në detyrë e veteranë.

“Jeni njerëz të jashtëzakonshëm”, iu tha Trump atyre. “Ju respektoj për shumë”, vazhdoi ai e më pas, lëshoi dhe një koment që i dha fjalës së mbajtur ngjyra shakaje: Të mos harrojmë faktin që votuat të gjithë për mua apo jo? Kjo më bën t’ju pëlqej akoma më shumë.

Ideja e ballove inauguruese mund të tingëllojë mjaft argëtuese, por mbërritja deri atje rrethohet nga peripeci të mëdha. Të ftuarve u duhet të kalojnë nëpër një labirint të vërtetë gardhesh sigurie, barrierash në rrugë dhe një muri njerëzor policësh. Nuk ishin të pakta gratë që mallkuan veten për takat e larta, thotë “New York Times”, e si të mos mjaftonte kjo, në fundin e radhës që nuk kishte të sosur, i priste edhe një detektor metalesh.

Top Channel