“Navi”, policia e Tiranës shkatërron rrjetin e vjedhjes së automjeteve

21/01/2017 00:00

Policia e Tiranës ka shkatërruar një rrjet të vjedhjes së aksesorëve të automjeteve në kryeqytet duke vënë në pranga dy persona.

Në sajë të operacionit të koduar “Navi” është arrestuar Ingrit Zeqo, 36 vjeç, Olgert Çfarku, 33 vjeç dhe është shpallur në kërkim një 25-vjeçar.

Ingrit Zeqo rreth orës 20.30 të së premtes ka tentuar të vjedhë navigatorin e një mjeti po është pikasur nga pronari, të cilin e ka goditur me mjete të forta. Menjëherë pas njoftimit policia bëri të mundur kapjen e tij ku me vete kishte tre kaçavida, dhe një palë doreza.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, A. P., 25 vjeç. Ata vidhnin sensorë, navigatorë, pasqyra dhe aksesorë të tjerë automjetesh të parkuara në zona të ndryshme të Tiranës. Më pas ia shisnin Olgert Çfarkut, i cili u arrestua në servisin e tij në zonën e “Brakës”, ku janë gjetur si provë materiale objektet e vjedhura.

Bëhet fjalë për 8 navigatorë automjetesh, 29 pjesë kroskoti, 18 skatulla pasqyrash pa xham, 11 pasqyra automjetesh, 2 timona me airbag, 11 stopa, 3 fenerë, 9 sensorë parkimi dhe tre motorë pasqyrash, të gjitha të markës “Mercedes Benz”.

Top Channel