Autobusët ndërkombëtar me terminal të ri

21/01/2017 00:00

Autobusët e linjave ndërkombëtare do të kenë terminalin e tyre, i cili është ndërtuar në sheshin pas pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Bashkia e Tiranës ka rehabilituar të gjithë hapësirën përreth zonës, duke i dhënë kështu fund orvatjeve që shkaktonin trafik në rrugët e kryeqytetit.

“Sot hapim dy hapësira të mëdha parkingu: Për autobusët dhe për qytetarët që përdorin makinat e tyre private, sipas konceptit ‘park and ride’, pra e parkon makinën përpara se të futesh te Zogu i Zi, një zonë me trafik të rënduar, e mandej të gjitha aktivitetet rreth saj mund t’i bësh në këmbë, me biçikletë ose me transport publik. 10 minutat e para janë pa pagesë, për t’u siguruar që nëse terminali i autobusëve përdoret për të lënë familjarët apo për të marrë dikë tjetër, të mos jetë nevoja të paguash. Por, gjatë ditës është me pagesë, për t’u siguruar që të mos ndodhë si më parë, kur dikush parkonte 16 orë radhazi”, tha Veliaj.

Veliaj tha se shumë shpejt do të sistemohen në një terminal të posaçëm të gjitha mjetet e transportit të udhëtarëve të linjave të jug-lindjes, duke shfrytëzuar një nga hapësirat e liruara kohët e fundit.

“Me të njëjtin model do të vazhdojmë edhe në hapësirën te “Qyteti Studenti”, ku tashmë është liruar hyrja e liqenit te Filologjiku nga të gjitha parkingjet dhe lavazhet aty. Parkingu mund të jetë në krahun e “Qytetit Studenti” për ata që vijnë nga juglindja e Shqipërisë, duke liruar liqenin, por sigurisht duke mos shkaktuar trafik në qytet”, shtoi Veliaj.

Gjithsesi, ai theksoi se edhe kjo është një zgjidhje e përkohshme, pasi në terma afatgjatë tha se do të ndërtohen terminale sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare për një udhëtim normal të qytetarëve.

Top Channel