Euro 2024, Gjermania vendos kandidaturën

21/01/2017 00:00

Gjermania vendos kandidaturën për organizimin e Europianit të vitit 2024. Bordi drejtues i Federatës së Futbollit votoi në mënyrë unanime në lidhje me këtë çështje dhe në 3 mars do të dërgojë në zyrat e UEFA kandidaturën zyrtare.

“Kemi stadiumet, infrastrukturën, gjithçka, që nga transporti publik e deri te hotelet. Nuk do të kemi nevojë të shtojmë hapësira të tjera. Një Europian në Gjermani do të organizohet në mënyrë të sigurt në aspektin financiar e ekologjik. Ne do të sigurojmë gjithashtu një proces transparent për zgjedhjen e stadiumeve, ku do të luhen ndeshjet”, thotë presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Reinhardt Grindel.

Reinhardt Grindel u zgjodh në krye të Federatës Gjermane vitin e kaluar pas dorëheqjes së Wolfgang Niersbach, i përfshirë në hetimet per skandalin e fitimit të së drejtës nga Gjermania të organizimit të Botërorit 2006.

Në procesin e përzgjedhjes se stadiumeve do të merren në konsideratë vetëm ata që kanë një kapacitet me mbi 30 mijë vende dhe vendimi përfundimar për 10 impiantet më të përshtatshëm do të merret në muajin shtator. Përsa u përket kandidaturave për Euro 2024, UEFA do t’i zbulojë emrat e tyre në 10 mars.

Top Channel