Tempulli i “sherrit”, tension dhe mirëkuptim mes dy feve

20/01/2017 00:00

11 vjet më parë Ambasada amerikane mbështeti financiarisht restaurimin e objektit të lashtë në kalanë e “Rozafës”, pa ditur se kështu do të nxirrte në sipërfaqe një debat po aq të vjetër dhe delikat: atë se cilit kult, i përkiste ky tempull.

“Ne si Myftini e Shkodrës dhe komunitetit mysliman i Shqipërisë, e kemi parë të paarsyeshme që Kisha Katolike të zhvillojë një meshë njëherë në vit në këtë objekt që ne e themi në bazë të fakteve dhe historisë që është një xhami shumë shekullore”, shprehet Muhamed Sytari, myftiu i Shkodrës.

“Mjafton të lexohet Marin Barleti tek “rrethimi i Shkodrës” për të kuptuar ekzistencën e kishës së Shën Shtjefinit”, thotë Dom Artur Jaku, Famulltar i Famullisë së Shën Shtjefinit.

Objekti i kulturës është shpallur Monument Kulture që në vitin 1948.

“Çfarëdo lloje ndërhyrje restauruese, promovuese e gjithçka, bëhet bazuar dhe konform ligjeve të shtetit”, shprehet Majlinda Laçaj, drejtoresh, DRKK Shkodër.

Nga katoliket ajo quhet Kisha e Shën Shtjefinit, nga myslimanët xhamia e Sulltan Mehmet Fatih. Zyrtarisht asnjë komunitet nuk pretendon pronësinë. Por…

“Nëse ne si KMSH e kemi përdor këtë objekt kulti për shekuj të tëre nuk e përdorim sot, sepse nuk është më edhe i përshtatshëm për të kryer adhurime, pse duhet që një komunitet tjetër, që pretendon një lidhje shumë të lashtë me këtë objekt, të ketë një ceremoni fetare”, shprehet Muhamed Sytari, myftiu i Shkodrës.

Komuniteti katolik pranon se ka kryer rite, por jo sfidë përballë vëllezërve të fesë tjetër.

“Unë personalisht, por besoi edhe Kisha këtu në Shkodër, sikurse të dinte që me të vërtetë, komuniteti mysliman apo baza, apo njerëzit e thjesht, me të vërtetë do të shqetësoheshin sepse ne kremtojmë një meshë atje, unë do isha i pari që isha tërheq në mënyrë që mos të bëhem shqetësim për atë komunitet”, thotë Dom Artur Jaku, Famulltar i Famullisë së “Shën Shtjefinit”.

Rindërtimi i këtij objekti u nis nga amerikanët si kontribut kulturor, por nga rrënojat doli një debat i vjetër është kishë apo është xhami. Por ndërsa dy komunitetet shohin aty secili simbolikën e vet, këto rrënoja nga kalaja e “Rozafës” shohin të gjithë qytetin multifetar, një shenjë në heshtje që ato i përkasin të gjithëve.

Top Channel